Sesioni i parë i Forumit në komunën e Dibrës, ku për herë të parë zbatohet Forumi i Buxhetit në suazat e Programit “Forume në bashkësi”, u mbajt më 8 tetor në restorantin “Penestija”, në praninë e 184 banorëve të komunës.
Sesioni i përcaktoi qëllimet e Forumit – qytetarët të jenë më të informuar për planet e komunës për vitin 2010, aktivisht të marrin pjesë në marrjen e vendimeve, të zhvillojnë diskutime të hapura për buxhetin e komunës dhe t’i theksojnë idetë e veta dhe aktivisht të marrin pjesë në përgatitjen e buxhetit.
“Këto projekte janë shumë interesante për qytetarët, sepse u japin mundësi qytetarëve të marrin pjesë në përgatitjen e buxhetit”, thotë Evzi Skara, pjesëmarrës në Forum.
Disa prej temave të sesionit ishin Prezantimi i procesit të Forumit të Buxhetit, i procesit të buxhetimit, i strukturës së buxhetit të komunës, i strukturës së tryezave të punës, si dhe pasqyrimi i planit strategjik zhvillimor dhe prioritet për vitin 2010.
Qëllimi është angazhim i qytetarëve në marrjen e vendimeve për buxhetin e komunës dhe promovimin e modelit për komunikim më të lehtë me qytetarët”, deklaroi Ibrahim Mehmeti, përfaqësues i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili e financon Programin me pjesëmarrje të komunës.
Të pranishmit në Forum u caktuan nëpër tryeza pune – Infrastruktura, Arsimi, Kultura, Higjiena publike dhe mjedisi jetësor, Administrata e komunës, Zhvillimi ekonomik lokal, Ujësjellësi dhe kanalizimet, Mbrojtja sociale, Sporti, Zjarrfikësja.
Sipas kryetarit të Komunës së Dibrës, Argëtim Fida, këto forume u mundësojnë qytetarëve të vendosin se cilat projekte do të zbatohen.
“Në bazë të kontributit tuaj dhe pjesëmarrjes masive në tetë forumet e mëparshme, në komunë përsëri po mbahet Forumi”, shtoi Fida.
Një prej karakteristikave të Forumit të Buxhetit është ajo se tema e Forumit është e përcaktuar paraprakisht – përgatitja e buxhetit të komunës për vitin e ardhshëm.
Mjetet e komunës dhe të SDC-së, që gjithsej bëjnë tetë milionë denarë për Komunën e Dibrës, do t’i dedikohen realizimit të projekteve që qytetarët do t’i përcaktojnë në suazat e një prej projekteve të komunës.
Programi në këtë fazë në Dibër e zbaton Qendra për Zhvillim Institucional – QZHI, në bashkëpunim me komunën.
|