Banorët e aerodromit, në Sesionin e Dytë të forumit në suazat e Programit “Forume në bashkësi” që u mbajt në shkollën tetëvjeçare “Gjorgjija Pulevski” i përcaktuan problemet me të cilat ballafaqohen shtatë shkollat tetëvjeçare dhe dy kopshtet në komunë.
Përfaqësuesja e Sektorit të Arsimit në komunë, në sesion e paraqiti gjendjen e objekteve arsimore-edukative, para së gjithash nëpërmjet fotografive të çative, fasadave, dritareve, dyerve, tualeteve e të tjera.
Pjesëmarrësit e pranishëm, të ndarë në tryeza pune, përcaktuan nga tri probleme që i konsiderojnë me prioritet. Në këtë mënyrë banorët e Aerodromit përcaktuan rreth 70 probleme me të cilat ballafaqohen 5 696 nxënësit e shkollave tetëvjeçare.
Pastaj, ato janë kategorizuar në shtatë grupe si riparimi i dyshemeve, rinovimi i tualeteve, ndreqje apo ndërrim i çative, sigurim i mjeteve ndihmëse dhe rekuizitave për mësim, rregullimi i oborreve, zgjidhja e problemeve me efikasitetin energjetik dhe me ndriçimin, dhe ndërtimi dhe rregullimi i terreneve sportive.
Banorët e Aerodromit, në sesionet e ardhshme, do të përpunojnë projekte për zgjidhjen e këtyre problemeve, kurse në sesionin e shtatë do të zgjidhet/zgjidhen projekti/projektet për realizimin e të cilave është fondi i Programit “Forume në bashkësi”.
Buxheti është 6,6 milionë denarë, prej të cilëve katër milionë janë donacion i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), kurse dy milionë nga Komuna e Aerodromit, kurse 600 mijë janë kontribut i mbartësve të projektit.
Programin “Forume në bashkësi” në Aerodrom e zbaton Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN).
Sesioni i ardhshëm i Forumit do të mbahet më 23 dhjetor, në orën 18.30, gjithashtu në shkollën tetëvjeçare “Gjorgjija Pulevski”.
|